Haradinaj nderon sakrificën e Vëllezërve Bytyqi: Shembull i trimërisë dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot me nderim të thellë sakrificën e Vëllezërve Bytyqi – Agronit, Yllit dhe Mehmetit – shtetas amerikanë me prejardhje shqiptare, të cilët lanë jetën e sigurt në SHBA për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohën më vendimtare për atdheun.
“Luftuan me nder për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar trimëri të pashoq, por përfunduan të vrarë mizorisht nga dora kriminale e shtetit serb,” ka shkruar Haradinaj.
Ai ka dënuar ashpër faktin që Serbia jo vetëm që i ekzekutoi, por edhe sot vazhdon të mohojë krimet e luftës, duke dekoruar kriminelët – përfshirë ata që dyshohen për këtë krim të rëndë ndaj Vëllezërve Bytyqi.
“Sot e çdo ditë ne ndajmë dhembjen e krenarinë me familjen Bytyqi – me bacën Ahmet, zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e ‘Atlantikut’. Dhembja e tyre është dhembja jonë. Krenaria për djemtë e tyre është krenari për mbarë kombin,” ka theksuar ai.