Sveçla kërkon hetim urgjent për rastin e Agon Zejnullahut: Askush nuk është mbi ligjin

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes tragjike të Agon Zejnullahut në Lipjan, duke shprehur shqetësim të thellë dhe kërkesë për hetim të menjëhershëm e të gjithanshëm.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi,” deklaroi Sveçla.
Ai bëri të ditur se hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal, ndërsa theksoi se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, IPK-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është vendimtar për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ministri Sveçla u shpreh se askush nuk është mbi ligjin dhe kushdo që rezulton përgjegjës për këtë ngjarje do të përballet me drejtësinë.
“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat, si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti,” shtoi ai.
Sveçla theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd, pasi besimi qytetar është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast,” përfundoi ministri në detyrë.