Behrami: Rasti i Lipjanit, pasojë e brutalitetit të pushtetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë në Lipjan, ku një 27-vjeçar humbi jetën gjatë arrestimit nga pesë zyrtarë policorë. Ai ka akuzuar drejtuesit e shtetit për nxitjen e një klime dhune dhe brutaliteti institucional.
Në një postim në rrjetet sociale, Behrami theksoi se brutaliteti i policisë buron nga sjellja e udhëheqësve shtetërorë. Ai kujtoi një rast të fundit para Kuvendit të Kosovës, ku sipas tij, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte shfaqur sjellje agresive ndaj një qytetari.
“Brutaliteti i Policisë në një shtet varet nga agresiviteti i atyre që e udhëheqin. Sjellja e Sveçlës është shembulli më i qartë se ky brutalitet ushqehet nga lart-poshtë”, ka shkruar Behrami.
Ai ka shprehur bindjen se rasti i Agon Zejnullahut nuk është një aksident, por një pasojë direkte e asaj që ai e cilëson si brutalitet i ushqyer nga pushteti aktual.
Ngjarja në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa institucionet janë vënë nën presion për hetim të plotë dhe transparent të rastit.