Vala e të nxehtit vazhdon sot në Kosovë dhe rajon, moti pritet të ndryshojë nga e marta

Kosova dhe rajoni sot përballen me mot tipik veror, shumë të nxehtë dhe kryesisht me diell, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius. Erërat jugperëndimore do të fillojnë të fuqizohen gradualisht, duke e bërë ndjesinë e të nxehtit edhe më të theksuar.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi gjithashtu pritet mot i kthjellët dhe i nxehtë. Megjithatë, pasdite, disa zona të izoluara në veri të Shqipërisë dhe në Mal të Zi mund të përjetojnë zhvillime të vranësirave vertikale, të cilat mund të sjellin ndonjë rrebesh të izoluar shiu të shoqëruar me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat në këto rajone mund të shkojnë deri në 40 gradë Celsius në pikat më të nxehta.
Ndryshimi i motit pritet të nisë të martën. Në Kosovë, Mali i Zi dhe veriu i Shqipërisë do të ketë më shumë vranësira dhe mundësi për rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Reshjet mund të jenë më intensive në disa zona të bregdetit shqiptar verior, si Durrësi, Velipoja dhe Ulqini. Gjysma jugore e Shqipërisë do të vazhdojë të ketë mot me diell dhe të thatë.
Edhe në Kosovë të martën pritet të ketë alternime të diellit dhe vranësirave, me mundësi për rrebeshe lokale shiu. Temperatura do të fillojë të bjerë, duke shënuar fundin e valës aktuale të të nxehtit.
Të mërkurën parashikohet një rënie më e ndjeshme e temperaturave, sidomos në Kosovë, në veri të Shqipërisë dhe në veri të Malit të Zi. Në këto zona mund të ketë reshje lokale shiu, më të theksuara në Dukagjin dhe pjesët veriore të vendit. Ndërkohë, në pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut moti do të jetë më i freskët dhe kryesisht i thatë, me ndonjë rrebesh të mundshëm në veri-lindje dhe lindje të Shqipërisë.
Meteorologët paralajmërojnë qytetarët të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës dhe të kujdesen për hidratim, për shkak të temperaturave të larta që do të mbizotërojnë edhe sot.