Kuvendi i Kosovës mblidhet për herë të 42-të – ende pa zgjidhje për bllokadën institucionale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot nga ora 11:00 për të 42-tën herë me radhë në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, partitë politike vijojnë të interpretojnë ndryshe vendimin, duke e zgjatur krizën institucionale.
Lëvizja Vetëvendosje po këmbëngul që votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk është antikushtetues. Kjo mënyrë votimi është mbështetur nga kjo parti për të avancuar kandidaturën e Albulena Haxhiut, e cila nuk arriti të marrë votat e nevojshme në votimin e hapur.
Në anën tjetër, partitë opozitare – PDK dhe LDK – insistojnë se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë: votimi duhet të bëhet sipas praktikës së deritashme, përkatësisht në mënyrë të hapur. Sipas tyre, çdo përpjekje për votim të fshehtë është në kundërshtim me vendimin e 26 qershorit dhe me Kushtetutën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar në mbështetje të qëndrimit të ekipit të saj ligjor, duke theksuar se votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, por mund të aplikohet vetëm nëse ka konsensus ndërmjet deputetëve. “Për këtë duhet të ketë votë dhe vendim të seancës, para se të shkohet në një mënyrë të tillë”, theksoi ajo.
Përpjekjet e Presidentes për ndërmjetësim përmes takimeve me liderët e partive politike nuk kanë prodhuar rezultat. Ndërkohë, PDK dhe LDK kanë dorëzuar kërkesa të reja në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen antikushtetuese të veprimeve të Avni Deharit, i cili po akuzohet për ndryshim arbitrar të rendit të ditës me ndikim të drejtpërdrejtë nga Lëvizja Vetëvendosje.
LDK u drejtua të enjten Kushtetueses për sqarime shtesë, duke pretenduar se vazhdimet e fundit të seancës janë bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës. Edhe PDK një ditë më parë kërkoi nga Kushtetuesja të vlerësojë shkeljet e mundshme në seancën konstituive.
Kriza vazhdon ndërsa Kuvendi hyn në tentativën e 42-të për konstituim, pa ndonjë shenjë të afërt për zgjidhje.