Mot përvëlues këtë fundjavë – temperaturat shkojnë deri në 38°C, rikthehen rrebeshet javën që vjen

Fundjava në vend do të karakterizohet nga mot shumë i nxehtë dhe me kthjellime, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Sipas parashikimeve meteorologjike, ditët në vijim do të jenë kryesisht me diell, por nuk do të mungojnë as episodet e shkurtra me rrebeshe shiu, sidomos në zonat malore.
Të shtunën, përveç kthjellimeve, në orët e pasdites parashikohen zhvillime të vranësirave në relievet malore, ku nuk përjashtohet mundësia për ndonjë rrebesh lokal shiu.
Temperaturat minimale do të luhaten mes 16°C dhe 18°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 33°C e 36°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare me drejtim verilindor, me shpejtësi 4-10 m/s.
E diela sjell një tjetër rritje të ndjeshme të temperaturave, të cilat pritet të kapin vlerat ekstreme prej 36°C deri në 38°C. Moti i nxehtë do të vijojë edhe të hënën, ndërsa të martën pritet një rënie e lehtë, me temperatura që zbresin në 33°C.
Ndryshim më i dukshëm pritet të mërkurën, kur do të ketë më shumë kalime vranësirash dhe kushte për rrebeshe të izoluar shiu. Temperaturat do të pësojnë rënie më të ndjeshme, duke u ulur deri në 24°C – 25°C.
Nga dita e diel, era ndryshon drejtim dhe do të fryjë nga jugperëndimi, me intensitet mesatar deri mesatarisht të fuqishëm, me hove që mund të arrijnë 10 deri në 15 m/s.
Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të marrin masa për mbrojtje nga i nxehti, veçanërisht gjatë ditëve të fundjavës.