Lumir Abdixhiku uron SHBA-në për 4 Korrikun: “Miqësia me Amerikën, themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë – 4 Korrikun, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në rrugëtimin shtetformues të Kosovës.
Abdixhiku theksoi se SHBA-të përfaqësojnë shembullin më domethënës të angazhimit për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të sigurt. Ai tha se për shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën, Amerika mbetet model frymëzimi dhe mbështetjeje.
“Kontributi amerikan për lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm”, u shpreh kryetari i LDK-së.
Në mesazhin e tij, ai citoi edhe Presidentin Historik, Ibrahim Rugova, duke rikujtuar vizionin e tij për Kosovën si shtet të pavarur, sovran, të integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm”, tha Abdixhiku, duke uruar popullin dhe qeverinë amerikane në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin e tij personal.
“Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve!”, përfundoi ai.