Osmani vazhdon takimet me liderët e partive të vogla: Kërkon pajtim për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon konsultimet me liderët e partive parlamentare për të gjetur zgjidhje lidhur me konstituimin e Kuvendit, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Të enjten, ajo ka pritur në takim deputetin goran dhe kryetarin e partisë Jedinstvena Goranska Partija, Adem Hoxha, duke e vazhduar kështu serinë e takimeve me krerët e partive më të vogla.
Një ditë më parë, presidentja Osmani kishte zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në vend, ndërsa sot është fokusuar në përfshirjen e të gjitha subjekteve parlamentare në procesin e konstituimit.
Sipas një komunikate nga Presidenca, Osmani ka theksuar nevojën për bashkëpunim dhe mirëbesim ndërmjet partive politike, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet në funksion të interesit qytetar dhe shtetëror.
“Në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit,” thuhet në deklaratën e Presidencës.
Presidentja pritet të zhvillojë edhe takime të tjera në ditët në vijim me përfaqësues të tjerë politikë për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe në përputhje me afatet kushtetuese.