SBASHK paralajmëron grevë të përgjithshme në shtator, nëse nuk zgjidhen kërkesat e punëtorëve të arsimit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me situatën politike dhe institucionale në vend, duke kritikuar ashpër partinë fituese të zgjedhjeve të fundit për, siç thuhet, neglizhimin e prioriteteve të vendit dhe të drejtave të punëtorëve.
Përmes një komunikate për media, SBASHK theksoi se në takimet e shpeshta me përfaqësues sindikalë nga të gjitha nivelet e arsimit është vërejtur me shqetësim se pushteti aktual po e injoron vullnetin e qytetarëve dhe po mban peng funksionimin institucional.
“Në vend të trajtimit serioz të kërkesave të grupeve të punësuar, përfshirë edhe ato të punëtorëve të arsimit, kjo parti po i jep më shumë rëndësi çështjeve të emërimeve sesa zgjidhjes së problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
Sindikata bën të ditur se si pasojë është krijuar një boshllëk institucional, duke pamundësuar adresimin e kërkesave të punëtorëve arsimor. Si reagim ndaj kësaj situate, është vendosur që të fillojnë përgatitjet për mbajtjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm sindikal.
“Kongresi do të jetë vendimmarrës për veprimet e ardhshme të SBASHK-ut. Në të do të shqyrtohet dhe do të vendoset qartë nëse muaji shtator do të shënojë fillimin e vitit të ri shkollor apo fillimin e veprimeve sindikale, përfshirë edhe grevën e përgjithshme në të gjithë sistemin arsimor të Kosovës”, paralajmëron SBASHK.
Sindikata i bën thirrje institucioneve përkatëse që të tregojnë përgjegjësi, të hapin rrugën e dialogut dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për kërkesat e punëtorëve të arsimit.
SBASHK rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të çdo punonjësi të arsimit në Kosovë.