Kosova

Osmani nis takimet me liderët politikë për zhbllokimin e krizës – dy ditë përpjekjesh për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të tentojë për herë të dytë të zhbllokojë ngërçin politik në vend, duke ftuar në takim liderët e partive politike për të gjetur një rrugëdalje nga kriza institucionale që ka përfshirë Kuvendin.

Takimet do të mbahen për dy ditë radhazi, duke nisur nga dita e mërkurë në ora 10:00 deri në 16:00, dhe do të vazhdojnë edhe të enjten. Në ditën e parë, Osmani do të presë liderët e partive politike shqiptare, ndërsa të enjten janë planifikuar takimet me liderët e partive nga komunitetet joshumicë.

E veçanta e kësaj radhe është se Presidentja do t’i takojë individualisht liderët, ndryshe nga hera e parë kur ishte thirrur një takim i përbashkët. E para që do të pritet në takim është Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ndjekur nga Memli Krasniqi i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.

Memli Krasniqi ka konfirmuar pjesëmarrjen, duke e vlerësuar angazhimin e Osmanit si pozitiv, por ka shprehur skepticizëm për arritjen e ndonjë rezultati konkret. “Bllokada është prodhim i kryeneçësisë politike të VV-së”, deklaroi ai.

Edhe Albin Kurti e konfirmoi pjesëmarrjen në takim, gjatë një aktiviteti publik në veri të vendit. Ndërkohë, pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar edhe LDK-ja dhe AAK-ja.

Kosova po kalon muajin e pestë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe muajin e tretë që nga seanca e parë e Kuvendit, e cila ka dështuar në plot 40 vazhdime. Megjithëse Kushtetuesja ka obliguar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh, partitë politike kanë dhënë interpretime të ndryshme mbi këtë vendim.

Edhe takimi i fundit i thirrur nga Kurti me krerët e partive të tjera përfundoi pa marrëveshje. PDK, LDK dhe AAK e cilësuan takimin si farsë, ndërsa Kurti insistoi se partia e tij kishte ofruar dy opsione kompromisi – për votim të fshehtë dhe në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – të cilat u refuzuan.

Presidentja Osmani shpreson se takimet e kësaj jave mund të sjellin një kthesë në drejtim të zgjidhjes së krizës politike që po zvarrit formimin e institucioneve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button