Vapa mbërthen vendin – Kujdes nga temperaturat e larta

Një valë të nxehti ka përfshirë vendin dhe rajonin, ndërsa moti i ditës së mërkurë parashihet të jetë kryesisht me kthjellime dhe diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 13°C deri në 16°C, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë deri në 32°C e 35°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja, me shpejtësi 4 deri në 10 metra në sekondë.
Sipas parashikimeve të “Mendimu për Motin”, mot edhe më i nxehtë dhe kryesisht me diell pritet në pjesën e dytë të javës. Temperaturat do të rriten ndjeshëm, duke shënuar kulmin të premten, me vlera që mund të shkojnë deri në 36°C, ndërsa lokalisht deri në 38°C. Edhe gjatë fundjavës temperaturat mbesin të larta, nga 35°C deri në 36°C, megjithëse të shtunën pritet kalim i përkohshëm i vranësirave, që mund të sjellin ndonjë rrebesh lokal shiu, sidomos në zonat malore.
Valës së të nxehtit nuk i shpëton as rajoni. Në Shqipëri temperaturat maksimale të mërkurën parashihen të jenë nga 38°C deri në 40°C. Ndërkohë, në pjesën juglindore të Maqedonisë së Veriut – sidomos në zonat si Demir Kapija dhe Gjevgjeli – pritet të regjistrohen temperaturat më ekstreme, që shkojnë deri në 41°C e 42°C në fundjavë.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të pikut të ditës, për të shmangur rrezikun nga ekspozimi i gjatë në diell dhe dehidratimi.