PDK akuzon VV-në për shkelje Kushtetuese: Deputetët qëndrojnë simbolikisht në sallën e Kuvendit pas dështimit të 40-të radhazi

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qëndruar sot simbolikisht në sallën e Kuvendit, pas dështimit për të 40-në herë me radhë të konstituimit të këtij institucioni. Ata e kanë cilësuar këtë situatë si të papranueshme dhe kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Vetëvendosje po e bllokon me vetëdije procesin e konstituimit, duke i bërë thirrje kësaj force politike që të reflektojë dhe t’i rikthehet rendit të ditës.
“Fatkeqësisht, edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zotëri Dehari, Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehemi në sallë pasnesër, t’i kthehemi rendit të ditës, të konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe të bëjmë punën tonë”, u shpreh Çitaku.
Ajo kritikoi edhe sjelljen e deputetëve të tjerë, duke theksuar se qëndrimi i shkurtër në sallë është i papërgjegjshëm.
“Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrimë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, tha ajo.
Kriza e konstituimit të Kuvendit po zgjat prej javësh, ndërsa partitë politike vazhdojnë të mos gjejnë konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.