Kosova

Kosova përballet me rënie të lirisë së medias – shqetësime në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi të martën një tryezë të rrumbullakët me temë “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve”, ku u ngritën shqetësime serioze për përkeqësimin e gjendjes së mediave në Kosovë dhe presionet në rritje ndaj gazetarëve.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se liria e shprehjes dhe ajo e mediave janë dy shtylla themelore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke paralajmëruar se situata aktuale paraqet sfida të mëdha për vendin.

“Raporti i fundit i ‘Reporterëve pa Kufij’ e ka renditur Kosovën më poshtë në indeksin e lirisë së medias, ku si faktorë kritikë identifikohen ndërhyrja politike dhe mungesa e sigurisë për gazetarët. Ky është një alarm për të gjithë ne”, deklaroi Qelaj. Ai kritikoi qasjen e qeverisë, duke thënë se ka pasur përpjekje për të relativizuar gjetjet e raportit dhe për të diskredituar ata që i kanë adresuar shqetësimet.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, tha se sulmet ndaj mediave janë të vazhdueshme dhe kryesisht vijnë nga pushteti. Ai theksoi tri çështje kyçe që kanë ndikuar në përkeqësimin e renditjes së Kosovës: ligji për KPM-në, ndërhyrja në RTK dhe fushatat denigruese ndaj gazetarëve.

Ndërsa juristja për të drejtat e mediave, Flutura Kusari, kritikoi sjelljen e pushtetit ndaj gazetarëve, sidomos në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. “Në vend të përkushtimit për përmirësim, kemi pasur fyerje dhe sulme ndaj gazetarëve. Sistemi gjyqësor duhet të jetë mbrojtësi më i madh i lirisë së shtypit”, u shpreh ajo.

Tryeza u mbyll me thirrje për më shumë përkushtim institucional dhe reagim serioz ndaj presioneve që po përjetojnë gazetarët në Kosovë.

 

 

 

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button