Kosova

Blerim Shabani akuzon komunën për padrejtësi në ndarjen e parkingjeve publike

Blerim Shabani, pronar i kompanisë “Bleri Parking”, pretendon se është përballur me padrejtësi institucionale pasi iu ndalua ushtrimi i veprimtarisë në 25 pika të parkingjeve publike në kryeqytet, përfshirë edhe atë përballë Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, pas një kontesti gjyqësor me Administratën Tatimore të Kosovës, të cilin më vonë e kishte fituar, iu ndalua aktiviteti i biznesit me vendim gjykate. Edhe pse e kaloi betejën ligjore me sukses, ai thotë se pikat e tij të mëparshme janë dhënë në shfrytëzim kompanive të tjera, të cilat i konsideron të paautorizuara.

“Kam operuar për 20 vite në Komunën e Prishtinës. Si shkak i një konteksti gjyqësor në ATK, tri vite nuk operoj me biznesin në Prishtinë. U dashtë të ndërprehej sipas vendimit të gjykatës. Kontekstin e kam fituar dhe Komunës së Prishtinës i jam drejtuar prej vitit 2022 me kërkesa të Inspeksionit që në pikat që kam qenë i licencuar, këto 25 bizneset pas meje, s’kanë pas pëlqime nga komuna”, deklaroi Shabani për televizionin tonë.

Ai thekson se gjatë operimit të tij kishte paguar detyrime ndaj komunës, duke përmendur një pagesë prej 10,500 eurosh, ndërkohë që bizneset e reja sipas tij nuk kanë përmbushur as kriteret bazë.

Përkundër insistimeve të tij për sqarime, Shabani thotë se është injoruar nga zyrtarët komunalë, përfshirë ish-drejtorin e Inspeksionit dhe tani nënkryetarin Florian Dushi, si dhe aktualin Bekim Brestovci. Ai tregon se ka kërkuar disa herë takim për të diskutuar për licencimin dhe mënyrën se si janë dhënë pikat për shfrytëzim, por pa sukses.

“Kam qenë në heshtje sepse kam qenë në kontekst gjyqësor dhe kam dashur të jem në mbikëqyrje se si po shkojnë gjërat. Kur kam parë kërkesën e tyre për aplikim për prona publike, kërkova takim që të më sqarohet pse më është ndalur aktiviteti kur unë kam paguar për këto pika në kohën e Ahmetit, ndërsa operatorët e rinj nuk kanë pasur asnjë leje”, shton ai.

Shabani thotë se mirëpret vendimin e fundit të komunës për të rishikuar funksionimin e parkingjeve, por shpreh keqardhje që nuk është përfshirë në procesin e konsultimit.

Përkundër përpjekjeve tona, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me këto pretendime.

Shabani ndërkohë thotë se do të vazhdojë kërkesën e tij për drejtësi dhe transparencë në ndarjen e licencave për shfrytëzim të pronës publike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button