Kosova

Rritja e çmimit të energjisë elektrike rrezikon bizneset dhe varfëron qytetarët, paralajmëron Rafuna

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka dhënë alarmin për pasojat e rënda ekonomike që po shkakton rritja e çmimit të energjisë elektrike në vend. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai e cilësoi këtë situatë si rrezik për ekzistencën e bizneseve dhe ulje të ndjeshme të standardit jetësor të qytetarëve.

Sipas tij, rritja prej 16.1 për qind e tarifës së rrymës për qytetarët, si dhe dalja e bizneseve në tregun e lirë të energjisë që ka sjellë shtrenjtim deri në 400 për qind, janë faktorë që po dëmtojnë rëndë ekonominë e vendit.

“Nëse vazhdon kjo kokëfortësi që bizneset të mbahen në tregun e lirë, nuk do të flitet më për 400 për qind, por për një çmim të pakontrollueshëm. Biznesi nuk do të mund të ekzistojë më në këto kushte dhe rrethana,” tha Rafuna.

Ai shton se pasojat më të mëdha do të ndihen gjatë muajve të dimrit, kur konsumi i energjisë rritet ndjeshëm. Sipas tij, qytetarët tash për tash nuk e ndiejnë plotësisht barrën e shtrenjtimit, por nga tetori ndikimi do të jetë i dukshëm.

Rafuna theksoi gjithashtu se prodhuesit vendorë po humbasin konkurrencën përballë produkteve të importuara për shkak të kostove të larta, çka ka sjellë edhe rënie të eksporteve.

“Vetëm 13 për qind e importit mbulohet nga eksporti. Në pesëmujorin e parë janë importuar 1.6 miliardë euro mallra. Jemi duke u bërë një vend që nuk prodhon, por vetëm konsumon,” paralajmëroi ai.

Kreu i Odës Ekonomike ka bërë thirrje për rishqyrtim të politikave energjetike, duke theksuar se rritja e çmimit të rrymës po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e varfërisë, mbylljen e bizneseve dhe rritjen e papunësisë në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button