Kosova

Temperaturat e larta paralizojnë punën në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë – punëtorët paralajmërojnë protesta

Punonjësit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë po përballen me kushte të rënda pune për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së funksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit. Gjatë ditëve të fundit, temperaturat brenda ambienteve të punës, përfshirë zyrat dhe sallat e gjykimit, kanë arritur deri në 34–35°C, duke ndikuar negativisht në shëndetin e punonjësve dhe në efikasitetin e punës së gjykatave.

Sipas informatave zyrtare, problemi ka të bëjë me mosfunksionimin e njërës nga dy termo-pompat që shërbejnë për klimatizimin e ndërtesës. Aktualisht, vetëm një termo-pompë është në funksion, por ajo nuk arrin të përballojë ngarkesën për të gjithë objektin. Si pasojë, janë raportuar raste të alivanosjes së punonjësve.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, deklaroi se temperaturat e larta kanë krijuar një ambient të papërballueshëm për punë, veçanërisht për punonjësit me sëmundje kronike. Ajo konfirmoi se ka ndodhur edhe një rast alivanosjeje.

Ndërkohë, Shoqata Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka theksuar se gjendja po përkeqësohet dhe nuk përjashton mundësinë e organizimit të protestave. Kryesindikalisti i gjykatës tha se punonjësit po përballen me lodhje fizike, marramendje dhe vështirësi në përqendrim për shkak të nxehtësisë ekstreme. Ai shtoi se, pavarësisht kërkesave të përsëritura për përmirësimin e kushteve, deri tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete nga autoritetet përkatëse.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) është bërë e ditur se janë në dijeni për situatën dhe se kanë autorizuar kryetarët e gjykatave kryesore që të vlerësojnë kushtet aktuale të punës dhe të shqyrtojnë mundësinë e pezullimit apo reduktimit të punës.

Në një përgjigje për KosovaPress, KGjK ka bërë të ditur se, sipas njoftimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme – institucioni përgjegjës për administrimin e objektit – është nënshkruar tashmë kontrata për riparimin e termo-pompës së prishur dhe se ndërhyrja pritet të ndodhë së shpejti. Megjithatë, KGjK thekson se vendosja e aparaturave alternative për ftohje është teknikisht e vështirë dhe përfshin kosto që institucioni nuk mund t’i mbulojë.

Pallati i Drejtësisë në Prishtinë, i inauguruar në vitin 2014, ka qenë vazhdimisht problematik në aspektin e kushteve teknike. Përveç problemeve të vazhdueshme me klimatizimin gjatë verës dhe dimrit, ndërtesa shpeshherë përballet edhe me përmbytje.

Punonjësit kërkojnë kushte minimale pune dhe zgjidhje të menjëhershme për problemet që, sipas tyre, po rrezikojnë shëndetin dhe funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button