Tension dhe siguri e shtuar në Graçanicë për Vidovdanin – Ndalohet një organizator pelegrinazhi nga Beogradi

Nga mëngjesi i sotëm, në oborrin e Manastirit të Graçanicës janë mbledhur dhjetëra qytetarë serbë për të marrë pjesë në liturgjinë tradicionale me rastin e Vidovdanit. Ky manifestim ka sjellë masa të shtuara sigurie nga Policia e Kosovës, e cila ka konfirmuar praninë e Njësive Speciale dhe ka ndërmarrë masa për menaxhimin e rendit dhe qarkullimit.
Policia ka njoftuar se rruga përreth Manastirit të Graçanicës është devijuar dhe qarkullimi i automjeteve nëpër qendër nuk është lejuar. Qytetarët janë paralajmëruar që një ditë më parë për këto ndryshime në trafik, ndërsa nga autoritetet është kërkuar mirëkuptim i plotë për masat e përkohshme.
Në vendngjarje, sipas raportimeve të mediumit lokal në gjuhën serbe “Radio Kim”, janë të pranishme edhe forca të shtuara të KFOR-it, të cilat janë vendosur në disa pika të Graçanicës me automjete të blinduara.
Një incident është regjistruar gjatë ditës, ku Policia e Kosovës, në prani të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Inspektoratit të Policisë, ka ndaluar V.P., organizator i një grupi pelegrinazhi nga Beogradi. Grupi që ai udhëhiqte mbante bluza me ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin “Serbia e Bashkuar” përpara Manastirit të Graçanicës. Sipas informacioneve, ndalimi u bë pasi V.P. u identifikua si përgjegjës i organizimit.
Masat e sigurisë pritet të mbeten të shtuara gjatë gjithë ditës, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të udhëzimeve të rendit.