Kosova

Edhe një fitore për bizneset në Gjykatën Komerciale: OEK kërkon pezullimin urgjent të vendimit të ZRrE-së

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se edhe një biznes tjetër ka fituar rastin në Gjykatën Komerciale kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në lidhje me vendimin për daljen e detyrueshme të konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Ky është aktgjykimi i tretë me radhë që përfundon në favor të bizneseve, duke forcuar argumentet e tyre për padrejtësitë që, sipas tyre, janë shkaktuar nga vendimet e ZRrE-së.

“Tani ekzistojnë prova të mjaftueshme që dëshmojnë se ZRrE duhet të reflektojë. Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të njoftimit për tregun e lirë, përpara se të shkaktohen dëme edhe më të mëdha për biznesin,” thuhet në reagimin zyrtar të OEK.

Sipas Odës, ky vendim i fundit veçse e forcon të drejtën e bizneseve, që u konfirmua edhe me vendimet paraprake të gjykatës. Megjithatë, theksohet se një pjesë e bizneseve vazhdojnë të preken nga ky njoftim, pa pasur ende një vendim të posaçëm nga gjykata për ta.

“Kjo po krijon një pabarazi të rrezikshme në treg dhe po ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e bizneseve,” thuhet më tej në njoftim.

Për t’i mbështetur kompanitë e prekura, OEK ka themeluar një ekip të juristëve të specializuar, të cilët po ofrojnë asistencë ligjore për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për kundërshtimin e njoftimit të ZRrE-së.

Oda Ekonomike e Kosovës rithekson se ende nuk është vonë që ZRrE të tërhiqet nga vendimi, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës energjetike dhe të garantohet një qasje e drejtë dhe e barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në treg.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button