Kosova
Kryesore

Temperaturat e larta rrezikojnë shëndetin e punëtorëve dhe grupeve të ndjeshme, paralajmëron Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka paralajmëruar qytetarët për efektet negative që kanë temperaturat e larta gjatë periudhës së verës mbi shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të sëmurët kronik, të moshuarit dhe punëtorët.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, punëtorët që kryejnë aktivitet në ambiente të jashtme janë më të rrezikuarit nga ekspozimi ndaj nxehtësisë, përfshirë ata në sektorë si bujqësia, pylltaria, ndërtimtaria, pastrimi dhe mirëmbajtja e parqeve, si dhe shërbimet emergjente.

Po ashtu, në rrezik janë edhe punëtorët në ambiente të brendshme, sidomos ata që punojnë në industri me ngarkesë të lartë nxehtësie, ata që përdorin makina pa sisteme ftohjeje, si vinçat, si dhe punëtorët që kryejnë punë fizike të rënda apo përdorin pajisje mbrojtëse personale në kushte të nxehta.

Instituti u bën thirrje punëtorëve dhe punëdhënësve që të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur shëndetin gjatë periudhave me temperatura të larta, përfshirë pushimet e rregullta, hidratimin dhe kushtet e përshtatshme të punës.

IKShPK thekson se kujdesi ndaj kushteve të punës dhe ndërgjegjësimi për rreziqet e temperaturave të larta janë thelbësore për parandalimin e sëmundjeve dhe aksidenteve të lidhura me nxehtësinë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button