Nënkolonel Shpend Zogaj përfundon me sukses shkollimin ushtarak më të lartë në Kroaci

Nënkolonel Shpend Zogaj ka diplomuar me sukses në programin akademik të Shkollës së Luftës “Ban Josip Jelačić”, në kuadër të Akademisë së Mbrojtjes “dr. Franjo Tuđman” në Republikën e Kroacisë.
Ky program përfaqëson nivelin më të lartë të arsimit ushtarak në Kroaci dhe synon përgatitjen e oficerëve të lartë dhe zyrtarëve civilë për detyra strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, programi përfshin një kurrikul të avancuar dhe gjithëpërfshirëse që mbulon fusha kyçe si teoria e strategjisë, marrëdhëniet ndërkombëtare, gjeopolitika dhe gjeostrategjia, siguria kombëtare dhe ndërkombëtare, politika e mbrojtjes, arti i luftës, strategjia dhe operacionet ushtarake, si dhe lidershipi dhe komunikimi strategjik.
Diplomimi i Nënkolonel Zogajt konsiderohet një arritje e rëndësishme për FSK-në dhe një hap i mëtejshëm në forcimin e kapaciteteve strategjike dhe profesionale të saj.