50 hijet e Meros për përgjimet/ Komentuesi: Je letër higjenike e Veliajt
Prej 5 ditësh CNA po sjell përgjimet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit, ku në “shfrimet”, siç i ka quajtur ai, pasi SPAK-u i komunikoi një akuzë të re, porosit dhe inskenon sulme kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Dy gazetarë të njohur për qëndrimet e tyre proqeveritare përgjithësisht, por veçanërisht pro Veliajt janë Mero Baze dhe Carlo Bollino, të cilët në përgjime janë marrësit e porosive të Veliajt për lajme apo për t’u bërë ndërmjetës tek eksponentë të lartë që të mos ngelej në qeli.
Që nga 3 prilli kur CNA nisi publikimin Mero Baze në intervistë e më pas në portalin e tij ka publikuar disa versione se si sipas tij CNA i kishte siguruar përgjimet.
Fillimisht më 4 prill tha se CNA i kishte marrë përgjimet nga klane të ndryshme brenda SPAK-ut dhe akuzoi SPAK-un se nëse nuk heton do të thotë që është i përfshirë.
Më 5 prill tha se janë duart e opozitës.
Dje shkroi se tërheq idenë se përgjimet i ka nxjerrë Dumani apo Dado, por mund të jenë rivalë të tyre brenda SPAK-ut ose sërish Berisha.
Poshtë artikullit të Mero Bazes komentuesit kanë shpërthyer duke i përplasur Mero Bazes në fytyrë të vërtetat, pasi në artikull shprehet se ato që janë publikuar nuk janë vepra penale. Por nëse do të ishte kështu SPAK-u nuk do të kishte ngritur një akuzë të re për Erion Veliajn pikërisht atë të futjes së sendeve të paligjshme në qelitë e paraburgimit.
Një komentuese i kujtoi Meros se ka ndërhyrë në një proces gjyqësor.
“Po ty si ta merr mendja do të kesh përgjegjësi që ke ndërhyrë në një proces gjyqësor apo e di redaktori”, shkruan komentuesja.
Të tjera komente i përmendin nofkën tashmë të njohur gjerësisht.
Qytetarët e pyesin nëse ka marrë këstin e radhës duke nënkuptuar pagesat që merr nga Arbër Veliaj.
Një komentues e krahason Meron me tifozët e Laprakës kur luante Partizani, por me diferencën se Mero ndryshe nga ata nuk është idealist.
“Vërtet ju gënjen mendja se tani pas publikimit të emrit tuaj si botues në shërbim të Erion Veliajt, ka rëndësi opinioni juaj se cili është burimi i përgjimeve. Ju thjesht e keni humbur të drejtën për t’u shprehur”, komenton një tjetër.
Disa komentues i kanë shkruar Bazes komente fyese duke e quajtur dhe letër higjienike të Veliajt.
Pas publikimit të përgjimeve publiku është bindur se Veliaj mund të prishë provat ndaj shkruajnë se ai nuk duhet të dalë nga burgu.
CNA do të vijojë edhe në vazhdim me publikimin e përgjimeve dhe do të sjellë të tjera fakte./CNA